Monthly Archives: april 2018

Sonte, nata e bekuar e Beratit!

Të nderuar vëllezër dhe motra!

Sonte është nata e madhe e Beratit, nata e 15 e muajit Sha’ban, muaj i cili është parapregatitje për muajin e shenjtë të Ramazanit dhe muaj në të cilin, siç thotë gruaja e ndershme e Pejgamberit tonë të dashur s.a.v.s., nëna jonë dhe e të gjithë besimtarëve, Aishja r.a.:

“Nuk e kam parë Pejgamberin s.a.v.s. që të ketë agjëruar më shumë se në muajin Sha’ban.”

Transmetohet gjithashtu se Aishja r.a. ka thënë: “Muhamedi s.a.v.s. më tepër ka agjëruar në muajin Shaban andaj unë i thashë: O i Dërguari Allahut! Jam duke vërejtur se më së shumti agjëron në muajin Shaban, përse?  Ndërsa ai më tha : Vërtet ky muaj është, muaj ku engjëjt marrin shënime se kujt duhet t’ia marrin shpirtin, e unë nuk dëshiroj të shënohet emri im ndryshe,  por vetëm duke agjëruar”.

Nata e Beratit, nata që paralajmëron se Ramazani, muaji më i shenjtë, do të vijë edhe 15 ditë, kuptimin e ka, gjithmonë sipas haditheve të Muhammedit s.a.v.s., natë e privilegjeve, faljes, mëshirës, etj. Natë në të cilën Allahu Fuqiplotë i hap dyert e magfiretit për robërit e Tij dhe në të cilën engjëjt marrin detyrat që do t’i kryejnë gjatë gjithë vitit të ardhshëm.

Në një hadith Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë për madhështinë e kësaj nate: “Kur të vijë nata e 15 e muajit Sha’ban, kalojeni me ibadet dhe ita’at Zotit, kurse ditën e 15 kalojeni me agjërim! Sepse atë natë Zoti me rahmetin e vet i shfaqet qiellit të dynjasë dhe thotë: ‘A ka kush pendohet sonte dhe Unë ta fal? A ka kush kërkon rizk (furnizim e nafakë) sonte dhe Unë t’i jap? A ka kush që është i sëmurë dhe kërkon prej Meje shërim e Unë t’i jap shëndet? A ka kush kërkon diçka tjetër sonte e Unë t’i jap?’ Kështu vazhdon deri në agimin e ditës së nesërme.”

Gjithashtu ai ka thënë: “Në natën e Beratit Zoti ua falë gabimet të gjithë muslimanëve, përveç atij që merret me magji, atij që e ushqen ndjenjën e urrejtjes e të armiqësisë, atij që i ndërpret lidhjet farefisnore, atij që e kundërshton dhe nuk e dëgjon babain e nënën e vet, si dhe atij që është i dhënë pas alkoolit e zinasë”.

Pra të dashur lexues, me pak fjalë u munduam të japim sadopak kuptimin e rëndësisë së kësaj nate të bekuar. Andaj, punë e jona është që këtë natë ta shfrytëzojmë si është më së miri, me lutje, namaz, agjërim, lexim Kur’ani, etj, etj., e më së paku ta kalojmë me lutje drejtuar Allahut të Lartmadhërishëm që të na i falë mëkatet tona, të cilat pa dyshim se i kanë arritur malet, të na mëshirojë, të na furnizojë e të na perforcojë në imanin tonë, jo vetëm gjatë vitit të ardhshëm, por gjerë në Ditën e Gjykimit e edhe pastaj, pra neve, prindërit tanë, të afërmit dhe të dashurit tanë, si dhe të gjithë besimtarët e besimtaret, muslimanët e muslimanet!

O Allahu ynë i dashur, falna dhe mëshirona, udhëzona dhe përforcona në Dinin tënd! Na bëj prej atyre që përfitojnë nga dobitë dhe të mirat e kësaj nate e edhe të tërë muajit Sha’ban, si dhe na mundëso që muajin e shenjtë të Ramazanit, muajin e bekuar të Kur’anit Fisnik, e edhe shumë Ramazanë të tjerë, t’i presim si është më së miri dhe më së lehti. T’i presim ashtu siç u takon besimtarëve të sinqertë, me agjerim, namaz, lexim Kur’ani e ibadete të ndryshme, në mënyrë që të mos e lëmë asnjë atom të tyre të na ik pa e fituar magfiretin dhe kënaqësinë Tënde!

O Allah i dashur, na bëj prej atyre që në ditën e Gjykimit libri do t’iu vijë nga e djathta e tyre dhe na bashko të gjithëve nën Rahmetin tënd të pakufishëm në xhennetet më të larta, atje ku janë pejgamberët, të sinqertit dhe të mirët, Amin!

Urime nata e bekuar e Beratit, qofshim nën magfiretin, ndihmën dhe mbikqyrjen e Allahut xh.sh gjithmonë, jo vetëm sonte, nesër e pasnesër, por përjetësisht, Amin!

Deklaratë e përbashkët për fillimin e Ramazanit 1439H (2018)

Komisioni i imamëve në Norvegji zhvilloi një takim më 14.04.2018 në xhaminë World Islamic Mission.

Komisioni i imamëve në Norvegji e ka për detyrë zbatimin e «Marrëveshjes së Hijri-kalendarit» në Norvegji.

Sipas kësaj marrëveshjeje, komisioni i imamëve është përgjegjës për përcaktimin dhe shpalljen e fillimit të muajit të Ramazanit dhe festave islame për muslimanët në Norvegji.

Komisioni i imamëve deklaron se 1. Ramazan 1439H në Norvegji sipas të gjitha mundësive do të filloj ditën e Enjte më 17.05.2018.

Ky vendim është marrë në bazë të metodës së përcaktuar në «Marrëveshjen e Hijri-kalendarit», pasi që të gjitha kriteret kryesore të marrëveshjes janë përmbushur.

Lexo më tepër këtu

Israja dhe Miraxhi – Nata për të cilën flet Kur’ani dhe Hadithi

Lejletu-l-Miraxhi është natë për të cilën flet edhe Kur’ani edhe Hadithi, ndërsa me këtë përcaktim nënkuptohet Israja (udhëtim gjatë natës nga Mekkeja deri në Kuds në Jerusalem) dhe Miraxhi (ngritja e të Dërguarit të Allahut deri në Sidretu-l-muntehaa), të cilat ndodhën në të njëjtën natë.

Sipas burimeve historike, kjo ndodhi ka ndodhur në njërën nga periudhat më të vështira të pejgamberisë së Muhammedit, s.a.v.s., menjëherë pas sunetu-l-hudhna (vitit të dëshpërimit) në të cilin i Dërguari humbi dy mbështetësit më të fuqishëm, ndihmuesit dhe mbrojtësit në mesin e njerëzve, h. Hatixhen dhe Ebu Talibin. Pas kësaj humbje, i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., shkoi në Taif që banorët e atjeshëm t’i thërras në islam, mirëpo në vend të përkrahjes e përzunë duke i hedhur gurrës dhe duke e sharë. Në ato çaste i Dërguari kërkoi mbrojtje nga Mbrojtësi më i Madh dhe Allahu, xh.sh., e përgëzoi me Isranë dhe Miraxhin. 

Për Isranë në Kur’an theksohet: 
“Pa të meta është Lartmadhëria e Atij që robin e Vet e kaloi në një pjesë të natës prej Mesxhidi Haramit (prej Qabes) gjer në Mesxhidi Aksa (Bejti Mukaddes), rrethinën e të cilës Ne e kemi bekuar, (ia bëmë këtë udhëtim) për t’ia treguar atij disa nga argumentet Tona.Vërtet, Ai është dëgjuesi (i fjalëve të Muhammedit), pamësi (i punëve të Muhammedit). (El-Isra, 1)
I Dërguari i Allahut, s.a.v.s., në Miraxh, është ngritur në qiejt më lartë dhe ka qëndruar pranë Allahut të Lartësuar, duke i kapërcyer kufijtë të cilët janë të pamundur për t’u kapërcyer edhe nga vetë melekët. Këtu ka parë shenja të cilat syri i njeriut nuk i ka parë, as që do t’i shoh deri në Ditën e Gjykimit. Këtë e vërteton Kur’ani me fjalët: 
“Atë (Xhibrilin) e ka parë edhe herën tjetër. (E ka parë) tek Sidretul Munteha. Që pranë saj është xhennetul Me’va (kopsht strehimi i…) Atëherë kur Sidrën e mbuloi çka e mbuloi. Shikimi (i Muhammedit) as nuk lakoi e as nuk tejkaloi. Ai (Muhammedi) vërtet, pa disa nga shenjat më të mëdha të Zotit të vet.” (En-Nexhm, 13-18)

Të Dërguarit të Allahut, s.a.v.s., në Miraxh iu shpall dispozita mbi namazin i cili, sipas fjalëve të tij, është “Miraxhi (ngritja shpirtërore) i muslimanëve”, ndërsa iu shpallën edhe tre ajetet e fundit të sures el-Bekare.
Se kur ka ndodhur nata e Israsë dhe Miraxhit nuk theksohet saktësisht. E sigurt është se ka ndodhur para Hixhretit, duke mos u precizuar më tutje, mirëpo supozohet të ketë ndodhur në natën e 26 të muajit Rexheb. 

Shtimi i ibadetit me rastin e Lejletu-l-miraxhit

Lejletu-l-miraxh, nata në të cilën u ngrit Muhammedi, s.a.v.s., në sferat më të larta qiellore, ka ndodhur më 26. Rexheb. 

Në Kur’anin fisnik thuhet: ““Pa të meta është Lartmadhëria e Atij që robin e Vet e kaloi në një pjesë të natës prej Mesxhidi Haramit (prej Qabes) gjer në Mesxhidi Aksa (Bejti Mukaddes), rrethinën e të cilës Ne e kemi bekuar, (ia bëmë këtë udhëtim) për t’ia treguar atij disa nga argumentet Tona.Vërtet, Ai është dëgjuesi (i fjalëve të Muhammedit), pamësi (i punëve të Muhammedit). (El-Isra, 1)
Allahu i Lartësuar në suren En-Nexhm më përsëafërmi na njofton me miraxhin e të Dërguarit të Allahut, s.a.v.s., i Cili thotë: “Pasha yllin kur ai bie (prej së larti poshtë)! Shoku juaj (Muhammedi që ju e njihni) as nuk është njeri që ka humbur, as që ka devijuar (nga e vërteta). Dhe ai nuk flet nga mendja e tij. Ai (Kur’ani) nuk është tjetër pos shpallje që i shpallet. Atë ia mësoi Ai, fuqiforti, (Xhibrili) Që ka mendje precize dhe që u përqëndrua në formën e vet (reale). Dhe ai (Xhibrili) ishte në horizontin e lartë (nga lindja). Pastaj u lëshua dhe iu afrua. E ishte afër sa dy harqe (dy kutë) apo edhe më afër. Dhe i shpalli robit të Tij atë që ia shpalli. Zemra nuk mohoi atë që pa (me sy). A po i bëni polemikë atij për atë që ka parë? Atë (Xhibrilin) e ka parë edhe herën tjetër. (E ka parë) tek Sidretul Munteha. Që pranë saj është xhennetul Me’va (kopsht strehimi i…) Atëherë kur Sidrën e mbuloi çka e mbuloi. Shikimi (i Muhammedit) as nuk lakoi e as nuk tejkaloi. Ai (Muhammedi) vërtet, pa disa nga shenjat më të mëdha të Zotit të vet. (En-Nexhm, 1-18)

Në Miraxh, Muhammedi, s.a.v.s., ka kontaktuar pa ndërmjetësues me Allahun e Lartësuar. Gjatë kësaj Muhammedit, s.a.v.s., iu shpallën dy ajetet e fundit të sures el-Bekare, iu caktuan pesë namazet ditore dhe iu dhurua e drejta për shefat. I Dërguari i Allahut, s.a.v.s., në Miraxh ka parë Xhennetin dhe Xhehennemin si dhe banorët e tyre. Ka parë shenja të tjera të cilat me lejen e Allahut, xh.sh., i janë treguar. Çdo besimtar përpiqet që ta ripërtëritë miraxhin, ngritjen e tij shpirtërore, të cilat në fakt janë rilindja e tij shpirtërore. Dhe ashtu siç Muhammedi, s.a.v.s, në miraxh ka kontaktuar me Allahun e Lartësuar, ashtu edhe çdo besimtar në namaz kontakton me Allahun dhe ngjitet mbi këtë botë materiale në botën e afërt të Allahut. Për këtë arsye namazi është miraxhi i besimtarit. 

Me rastin e Lejletu-l-miraxhit falet namazi i veçantë i nafiles. Ky namaz nafile përbëhet prej njëzet rekateve. Selam jepet pas çdo dy rekati. Në çdo rekat, gjatë qëndrimit në këmbë, lexohet Fatihaja (El-hamdulil-lahi, M.A.) dhe njëherë Kul huall-llahu ehad (Sureja Ihlas, M.A.). Pas namazit lexohet: 

– «Subhanall-llahi vel hamdulil-lahi ve la ilahe il-lall-llahu vall-llahu ekber” (njëqind herë);
– Istigafar (Estagfirull-llahi, njëqind herë), dhe
– All-llahume sal-li ala Muhammed ve ala ai Muhammed (njëqind herë),

Pas kësaj kërkohet ajo që dëshirohet nga Allahu, xh.sh. [1] 

Preferohet që ky namaz nafile të falet pas namazit të jacisë, ndërsa para se të falet namazi i vitrit. Mund të falet me xhemat, mirëpo më mirë është që të falet vetëm dhe në vetmi. 

Nijeti për këtë namaz është: “»Nevejtu en usallije lillahi teala salate lejletil-mi’radži edaen mustakbilel kibleti Allahu ekber.”
O Allahu i Plotfuqishëm, bashkoi zemrat tona në fe dhe dashuri. Forcoi hapat tonë në të vërtetën dhe të drejtën. Forcona dëshirën tonë për vëllazëri dhe bashkëjetesë. 

Amin!