Kuptimi dhe mesazhet e Hixhretit

Jeta e njeriut të parë me vetëdije në Tokë filloi me hixhret (emigrim). Ademi (a. s.) me anën e hixhretit (emigrimit) e solli udhëzimin e parë në Tokë, njohuritë e para mbi jetën dhe botën. Kjo si duket paralajmëronte se hixhreti (emigrimi) do të jetë pjesë përbërëse e rrugës jetësore të të gjithë bartësve të porosisë dhe shpalljeve të Zotit. Çdo Pejgamber i Zotit ka pasur odiseun – hixhretin e vet. Janë të mirënjohura emigrimet e shumë pejgamberëve sikurse janë: emigrimi i Ibrahimit, Musait, Jusufit, Isait (a. s.) etj. Të gjithë këta transmetues të Shpalljes së Zotit kanë kaluar rrugën e mundimshme të hixhretit, sepse ajo ka qenë strategji e domosdoshme e misionit të tyre profetik. Çdo luftë mes së mirës dhe së keqes bëhet në lëvizje d.m.th. në mënyrë dinamikë e jo statike. Hixhretet janë pasojë e patjetërsueshme e luftës dinamike mes së mirës  dhe së keqes, të vërtetës dhe të pavërtetës, diturisë dhe injorancës.

Hixhreti – emigrimi i muslimanëve nga Mekka në Medine me të drejtë konsiderohet njëra nga ngjarjet me të rëndësishme në historinë islame. Rrëfimi për hixhretin është rrëfim mbi viktimat e vetëdijshme të muslimanëve të parë për shpëtimin e Kelimei Sheahdetit.

“Ata të cilët besojnë, emigrojnë dhe luftojnë në rrugën e  All-llahut, edhe ata që japin strehim dhe ndihmojnë, ata janë me siguri besimtarë të vërtetë – për ata ka falje dhe shpërblim fisnik.” (8: 74).

Një natë Pejgamberi ynë, u ngrys por nuk u gdhi në shtëpinë e vet, u detyrua të braktis vatrën familjare dhe vendlindjen e vet. Kishte arsye: kontradiktat përjashtojnë njëra tjetrën dhe nuk mund të bashkëjetojnë në të njëjtin vend. Nuk mund të bashkëjetojë drejtësia me dhunën, morali me jo-moralin, e vërteta me të pavërtetën, drita me errësirën etj. Dhe pikërisht për këtë, Muhammedi (s) u detyrua të braktis vendlindjen  – Mekkën , ku zotëronte padrejtësia, amoraliteti, mashtrimi, errësira, primitivizmi dhe injoranca.

Pejgamberi i madh e vështronte jetën në lëvizje, e jo në ngurtësinë e saj, prandaj, në luftën e tij kundër paganizmit, përdori strategjinë e lëvizjes. Duhej gjetur një vend më i përshtatshëm që të lëshonte rrënjë islami, tokë më pjellore që të mbillej fara e së vërtetës. Duhej gjetur edhe një bazë të fuqishme, një vendqëndrim të sigurt që grushtit të paganizmit t’i përgjigjej me grusht.

Banorët e Mekkes braktisen shtëpitë e tyre, vendlindjen e tyre dhe çdo gjë që kishin vetëm për të dëshmuar se nuk ka çmim që nuk do ta paguanin, as sakrificë që nuk do ta bënin për fenë e tyre dhe realizimin e Fjalës së Zotit në planetin tonë.

Hixhreti – emigrimi i muslimanëve nga Mekka në Medine paraqet kulmin e sakrificës materiale. Vetë Pejgamberi (s) e theksoi këtë veçori të hixhretit dhe haptazi i njohu meritat e muhaxhirëve. Ndërkaq, kur i bënë njëherë një pyetje ata që nuk ishin muhaxhirë, në ç’mënyrë mund ta fitojnë shkallën e lartë të muhaxhirit, ai u përgjigj: “Muhaxhir është kushdo që braktis çdo gjë që e ka ndaluar All-llahu dhe përqafon atë që Ai e ka urdhëruar.” Me këtë Pejgamberi i Zotit (s) e zgjeroi nocionin dhe kuptimin e Hixhretit edhe nga ana shpirtërore e njeriut. Emigrimi nga një jetë me gjynahe në jetën e kompletuar moralo-etike; synimi drejt idealëve të larta, drejt vlerave të përjetshme njerëzore, kjo është rruga shpirtërore e Hixhretit. Kjo është rruga e krijimit të figurës morale njerëzore e denjë për dashurinë hyjnore e botërore.

Të përkujtojmë që gjurmët e hixhretit nuk shkojnë vetëm nga Mekka në Medine, por që është edhe më e rëndësishme, gjurmët e hixhretit shkojnë drejt afirmimit të plotë të virtyteve të përjetshme të njeriut. Gjurmët e hixhretit në rërën e shkretëtirës i mbuloi fryma e parë e shkretëtirës, por gjurmët historike të shpirtit të ndritshëm profetik të Pejgamberit të Zotit – Muhammedit (s) nuk do t’i fshijë asgjë sa të jetë jeta e bota.

Hixhreti i dha nxitje të fuqishme pjekurisë shpirtërore dhe kulturore, përsosmërisë etike dhe idesë për themelimin e Bashkësisë islamike. Ai e çliroi njeriun nga shfrytëzimi, idhujtaria, paganizmi, primitivizmi, supersticioni dhe robëria ndaj epsheve.

Me hixhretin bota hyri në kontakt me valën e re të Islamit i përfaqësuar me madhështinë e tij të vërtetë, i çliruar nga të gjitha format e diskriminimit racor e klasor, nacionalizmit shovinist dhe ekstremizmit. Parimi  i tij suprem është besimi në një të Vetmin Zot, me të cilin askush nuk është i barabartë.

Faktor i rëndësishëm në qëndrimin korrekt islam dhe njerëzor, përveç bindjes fetare  është edhe baza moralo-etike, e cila në të vërtetë ndërlidhet, përkatësisht buron nga vetë besimi. Ky formim moral ndikon dukshëm në njeriun dhe veprimet  e tij: drejtësia, sentimentaliteti, toleranca, morali, fisnikëria, nxitja e forcave të mira dhe kundërshtimi i dukurive negative etj. , janë instrument kryesor i sjelljes së tij.

Prandaj, hixhreti është fitore e vërtetë, shpresë e madhe për një  të nesërme më të mirë  në të cilën bashkësia njerëzore do të gjejë veten dhe rrugën  e vet të vërtetë.

Kultura islame me hixhretin u bë e veçantë dhe e kompletuar, ndërsa ngjarjet e lidhura me këtë rast do të jenë burim frymëzimi për muslimanët, për harmoninë reciproke dhe vëllazërimin islam.

Shteti islam i udhëhequr nga idealët hixhretit, e falë zbatimit të Kuranit dhe Sunnetit, përjetoi ngritje dhe lulëzim dhe në një periudhë shumë të shkurtër u bë fuqi kryesore shkencore e kulturore e botës.

Në qoftë se bota islame e dëshiron serish përparimin dhe rëndësinë e vet në ngjarjet botërore, nuk mbetet asgjë tjetër vetëm se të riaktivizojë rolin  e fesë dhe kthimin e burimeve të sheriatit në jetën e individit dhe shoqërisë. Përdorimi i kalendarit të hixhretit nuk dot të thotë të shënuarit e ditëve, muajve dhe viteve, por rigjallërimin faktorëve, të cilët e nisen historinë e muslimanëve dhe nga këta krijuan bashkësinë –shtet, ndërsa islamin e bënë fe botërore,  e mësimet dhe parimet e saj fe njerëzore.

Fillimi çdo viti të ri të hixhretit na përkujton emigrimin e Pejgamberit (s) dhe rëndësinë  e madhe, e në mënyrë të veçantë vlerat  e mëdha moralo-shpirtërore të hixhretit.

Hixhreti është karakteristikë e jetës së gjallë, krijuese, e jetës e cila gjithmonë shkon përpara, e jetës në perspektivë duke i shndërruar pengesat në shkallë progresi. Hixheti ka në vete idenë e lëvizjes, aksionit, ndryshimeve dhe rimëkëmbjes, ka idenë e ripërtëritjes së mendimit islam në çdo moment dhe periudhë historike. Në rrugën e hixhretit nuk ka vend për përtaci, as letargji, sepse hixhrete (emigrime) të edha kanë bërë vetëm mendjet e larta vetëmohuese e flijuese dhe gjigantët moral – prej Ademit (a. s.) deri te Resulullah  i madh – Muahmmedi (s).

Rruga e hixhretit është rruga e punëtorëve të ndershëm, arkitekteve dhe të shkathëtëve, atyre pa egoizëm personal.

Çdo hixhret, çdo emigrim nga viti i kaluar në vitin e ri, duhet të jetë edhe për shqiptarët dhe periudhën nëpër të cilën po kalon kombi ynë, në shenjë  të idesë dhe idealeve të hixhretit. Ideja  e hixhretit, në qoftë se do të kuptohej dhe pranohej si duhet, do ta udhëhiqte kombin shqiptar,  kulturën dhe shoqërinë shqiptare në rrugën e progresit  shpirtëror e material, sepse rruga e hixhretit çon vetëm drejt atij ideali të lartë, drejt rilindjes dhe progresit të plotë – nga i cili Arabët u nisen fuqishëm pas hixhretit të madh.

Rruga e Pejgamberit është rruga e hixhretit të përjetshëm nga i cili duhet të shkojmë edhe ne shqiptarët edhe me mendime edhe me hapa edhe me fuqi shpirtërore edhe me forcë fizike, edhe me flijime shpirtërore edhe me flijime materiale. Kjo është rruga që bashkon qenien tonë fizike me atë shpirtërore, që bashkon kombin tonë të përçarë e të copëtuar siç i bashkoi atëherë  muhaxhirët e Mekkes me Ensarët e Medinës. Kështu duke hyrë n vitin e ri hixhri, fillon një periudhë  e re  për kombin shqiptar, një çast historik që do t’ia ndërronte fizionominë shpirtërore, morale  e ekonomike Shqipërisë Etnike. Ideja  e hixhretit aktualisht përfaqëson atë  kuptimin e tij më të gjerë duke i dhënë mesazhin e fundit popullit shqiptar që të bëjë emigrim kolektiv nga jeta e kaluar e viteve të humbura në një jetë të re pa gjynahe e rrëmujë. Nga një natë dimri gjysmëshekullore në një pranverë hixhreti në perspektivë. Për Shqiptarët e Kosovës hixhreti është mësimi më i mirë se asgjë nuk mund të arrihet e të realizohet vetvetiu, pa sakrifica, pa përpjekje, plane e metoda të menduara  mirë. Hixhreti qe kthesë  e madhe në historinë islame, sepse pas tij musliamnët themeluan bashkësinë e pavarur dhe organizuan shtetin  e parë islamik në Medine.  Lusim All-llahun (xh. sh.) që viti i ri hixhri në të cilin sapo kemi hyrë të jetë kthesë e madhe edhe për popullin tonë në Kosovë dhe realizimin e aspiratave dhe idealëve të tyre për pavarësi. Hixhreti e ka këtë forcë dhe me të mund t’ frymëzojë shqiptarët, nëse ata arrijnë  të kuptojnë dhe përvetësojnë  atë jo si emigrim i thjeshtë por si emigrim ideologjik e shpirtëror duke shikuar gjithmonë përpara. Por do të ishte katastrofike nëse ata e marrin hixhretin si emigrim prapa – në një të kaluar ideologjike e shpirtërore epigonike për realizimin e së cilës bëhen përpjekje të mëdha brenda e jashtë vendit.

Hixhreti nuk është vetëm që ka dhënë ide, por në planin  e jetës praktike, ai ka ndërruar njerëz, ka forcuar karaktere dhe ka bërë të lindin heronj. Ai ka qenë dhe shpresojmë të jetë  edhe për ne ndryshim nga  e mira, nga  e ardhmja më e sigurt dhe më e ndritshme.

Jubiletë gjithmonë, frymëzojnë fuqi të reja, frymë të re, prandaj, ne po hymë në këtë vit të ri të hixhretit me pikëpamje të reja për të njëjtën ngjarje.

Prandaj, hixhreti është  një rast që duke hyrë në vitin e ri hixhri, seriozisht  të rishqyrtojmë se a jetojmë në frymën e hixhretit, i cili qe dhe mbeti inspirimi dhe nxitja më  e fuqishme për besimtarët e sinqertë. Viti i ri hixhri, në të vërtetë, duhet të jetë ripërtëritje  e qenies sonë shpirtërore dhe përgatitje për atë çfarë na pret në të ardhmen.

Ja i tillë ishte hixhreti i Pejgamberit (s)  me të cilin filloi një epokë e re dhe  një revolucion  i ri shpirtëror doktrinar. Revolucioni i etikës njerëzore. Revolucion i jetës njerëzore.

Së fundi i lutemi All-llahut (xh. sh) që të zgjojë dhe forcojë vetëdijen tonë islame, në mënyrë që kuptimi i hixhretit të jetë kuptimi i jetës sonë.

Autor: Mr. Muhidin Ahmeti

Burimi: mesazhi.com

Print Friendly, PDF & Email