Kurbani – pjesa e tretë

MJEKËSIA PËR THERJEN E BAGËTIVE

Kafshët e vogla, siç janë delja dhe dhia, për shkak se janë të imta, në ditën e sotme kasapët i presin drejtpërsëdrejti në fyt. Ndërsa kur është në pyetje ndonjë mëzat i madh apo lopë e madhe e dëmtojnë palcën kurrizore duke i futur prapa koke thikën e pasi të rrëzohet i pritet fyti i saj. Pastaj kur shitet, në shikim të parë duket se në të dy rastet mishi është i të njëjtës cilësi, por në fakt nuk është ashtu. Për ta kuptuar më lehtë, do të shohim se ç’janë sistemi i gjakut (vaskular) dhe sistemi nervor qendror (SNQ). Të gjithë e dimë se gjaku nuk është thjesht një lëng i zakonshëm me ngjyrë të kuqe, porse është një lëng plot jetë. Gjaku normalisht shërben për transportimin e oksigjenit nga mushkëritë nëpër të tërë indet e trupit tonë. Nëpërmjet gjakut bëhet edhe transportimi i lëndëve ushqyese nga pjesa tretëse nëpër organizëm si dhe lëndë të tjera me rëndësi specifike për organizmin. Në gjak ndodhen edhe eritrocitet (rruazat e kuqe) dhe leukocitet, të cilat në gjuhën popullore njihen edhe si rruazat e bardha dhe që kanë funksione specifike mbrojtëse për organizmin. Gjatë çdo sëmundjeje me anë të gjakut përhapen mikroorganizma të ndryshme, bakterie dhe viruse. Roli i rruazave të bardha është pikërisht eliminimi i tyre nga organizmi ynë. Por, nga ana mjekësore njihen edhe gjendje të veçanta të quajtura bakteremi apo viroza kur gjaku bëhet transportuesi i këtyre mikroorganizmave dhe trupi ynë nuk shfaq sëmundje. Edhe në këtë rast roli i leukociteve (rruazave të bardha) është thelbësor në pastrimin e gjakut të tërë organizmit. Shprehja popullore “Uji që s’lëviz qelbet” vlen edhe për gjakun.

Nëse do të marrim rastin kur gjaku del nga enët ku ai lëviz ose ndalon së lëvizuri në sistemin vaskular, atëherë ai i humb vetitë e tij mbajtëse dhe kthehet në të kundërtën e tij, një ushqim për mikroorganizmat e ndryshëm që qarkullonin nëpër të dhe një burim rreziku real. Le të sqarojmë diçka shkurtazi edhe për SNQ-në (Sistemi Nervor Qendror). Është një pjesë e SNQ-së që në gjuhën mjekësore quhet Sistemi Nervor Autonom, i cili kryen të gjitha funksionet që janë jashtë ndërgjegjes tonë. Gjithkush prej nesh e ka provuar se si pas një emocioni të fortë, të rrahurat e zemrës rriten jashtë dëshirës sonë dhe po ashtu shumë lëvizje instiktive kryhen pavarësisht nga dëshira apo kontrolli ynë. Për të gjitha këto e shumë procese të tjera përgjigjet pikërisht Sistemi Qendror Autonom. Ky sistem në vetvete ndahet në dy pjesë që emërohen si simpatiku dhe parasimpatikus. Të dyja pjesët inervojnë (përhapen) në të gjitha organet e trupit dhe në përgjithësi kanë funksione të kundërta në këto organe. Kështu në sistemin vaskular parasimpatikus bën zgjerimin e enëve të gjakut, ndërsa simpatiku bën ngushtimin e tyre. Simpatiku njihet edhe ndryshe si veprues gjatë stresit dhe qendrat e tij nervore ndodhen në palcën e kurrizit, në pjesën torakale (të gjoksit) dhe lumbare (të shpinës) dhe kanë lidhje të ngushta me trurin e madh me anë të fijeve të shumta nervore.
Pas këtyre shpjegimeve të domosdoshme le të kthehemi në çastin e therjes. Therja vetëm me anë të prerjes në fyt siç na ka treguar Profeti s.a.v.s., dhe ashtu si urdhëron Allahu i Lartmadhëruar në Kur’an për lloje të kafshëve të lejuara:
حُرِّمَتْ عَلَيْكُمُ الْمَيْتَةُ وَالدَّمُ وَلَحْمُ الْخِنْزِيرِ وَمَا أُهِلَّ لِغَيْرِ اللَّهِ بِهِ وَالْمُنْخَنِقَةُ وَالْمَوْقُوذَةُ وَالْمُتَرَدِّيَةُ وَالنَّطِيحَةُ
وَمَا أَكَلَ السَّبُعُ إِلَّا مَا ذَكَّيْتُمْ وَمَا ذُبِحَ عَلَى النُّصُبِ

 “Juve u janë ndaluar (t’i hani): ngordhësira, gjaku, mishi i derrit, ajo që theret jo në emrin e Allahut, e furmja, e mbytura, e rrëzuara, e shpuara (nga briri i tjetrës), ajo që e ka ngrënë egërsira, përveç asaj që arrini ta therni (para se të ngordhë), ajo që është therur për idhuj dhe (u është ndaluar) të kërkoni me short fatin …”.

(El-Maide, 3)
Në çastin kur i pritet fyti, kafshës së bashku me gurmazin i priten edhe enët vaskulare që normalisht i furnizojnë me gjak trurin. Në këtë çast, i gjithë organizmi vihet në alarm dhe krijohet e ashtuquajtura gjendje stresi. Truri është në gjendje të jetojë pa gjak 3-5 minuta. Që në çastin e parë trurit i duhet të ruajë funksionet jetësore të tre organeve: Zemrës, mushkërive si dhe vetë trurit. Humbja e gjakut perceptohet si mungesë në furnizimin me gjak, prandaj për këtë arsye ai (truri) “urdhëron” përjashtimin nga furnizimi me gjak të të gjithë pjesëve të tjera trupit, përveç tre organeve që u përmendën më sipër. Këtë rol e kryen simpatiku. Ky i fundit bën vazokonstruksionin ose ngushtimin e enëve të gjakut periferike, duke filluar sipas rëndësisë: lëkura, muskujt, organet e brendshme, si shpretka, aparati tretës (stomak, zorrë), veshka e deri te mëlçia. Kështu në mënyrë figurative mund të themi se bëhet një shtrydhje e gjakut nga këto organe, me qëllim që gjaku të shkojë në zemër. Vetë vazokonstruksioni ndjek një radhë të caktuar, fillon me kapilarët që janë të trashë sa 1/15 e fijes së një floku, pastaj venulat e kështu me radhë deri në enët e mëdha të gjakut, venat. Ndërkohë që organet “shtrydhen” nga gjaku, i cili vazhdon të humb nëpërmjet enëve të prera të fytit, ndërkaq kafsha merr frymë thellë, sepse i duhet të bëjë oksigjenimin e trupit dhe për pasojë edhe të trurit. Në kafazin e kraharorit si rrjedhojë e këtyre frymëmarrjeve, krijohet një presion negativ, i cili ndihmon që gjaku të kalojë nga venat e vogla dhe periferike në venat e mëdha dhe prej këtej në zemër. Kështu, pra, mushkëria luan rolin e një pompe në thithjen e gjakut. I gjithë ky proces vazhdon jo më gjatë se 3-5 minuta, aq kohë sa truri mund të qëndrojë në jetë pa u furnizuar me gjak, porse kjo kohë është e mjaftueshme që trupi i kafshës të zbrazet nga gjaku.

Ç’ndodh kur prerja bëhet me dëmtim të shtyllës kurrizore?

Gjatë kësaj therjeje ndërpritet lidhja ndërmjet trurit të madh dhe simpatikut, gjithashtu trurit të madh dhe nervave që inervojnë muskujt e trupit që e marrin zanafillën në palcën kockore. Në këtë rast kafsha paralizohet dhe ndërpritet frymëmarrja si pasojë e paralizimit të muskujve brinjore dhe diafragmës përgjegjëse për aktin e frymëmarrjes. E lënë në këtë gjendje, edhe pa ju prerë fyti, do të ngordhë për 3-5 minuta. Me prerjen e fytit më pas, kafsha fillon të humbas gjak, por kjo sasi është më e pakët se në rastin e parë kur therja është bërë sipas rregullave të caktuara. Në këtë rast enët e gjakut, të cilat ngushtoheshin në rastin e parë, këtu dilatohen (zgjerohen), sepse nuk vepron më simpatiku si pasojë e prishjes së palcës kurrizore. Madje hapen edhe kapilarët rezervë që organizmi nuk i vë normalisht në funksion. Kjo bën që një pjesë e rëndësishme e gjakut të burgoset nëpër indet e ndryshme të organizmit. Të mos harrojmë, se e përmendëm qysh në fillim, që gjaku ishte shpeshherë mbajtës i mikroorganizmave të ndryshme të dëmshme dhe në çastin që pushon së qarkulluari nëpër enët e gjakut kthehet në ushqim për këto organizma. Gjithashtu një nga cilësitë e kafshës së ngordhur (ngordhësirave) është se mishi i saj është i mbushur me gjak! Nga ana tjetër zemra vazhdon të punojë, sepse ka një sistem autonom, por nuk ka më funksionin e pompës së mushkërisë, e cila nuk punon si pasojë e paralizimit të muskujve ndërbrinorë dhe diafragmës. Kështu që në këto raste kasapët për të nxjerrë gjakun detyrohen të shtypin barkun e kafshës.
Pra, me pak fjalë në rastin e dytë kafsha nxjerr më pak gjak dhe mishi i saj është i rrezikshëm për ushqim. Prandaj edhe therja sipas mënyrës së përcaktuar nga Pejgamberi s.a.v.s. është më e saktë nga ana shëndetësore. Kjo është edhe arsyeja që gjaku dhe ngordhësirat janë të ndaluara për t’i ngrënë, sepse mikroorganizmat që gjallojnë në trupin e kafshës, në gjak, pas ngordhjes së saj, janë një rrezik real për njeriun që e përdor atë lloj mishi.
LLOJET E KURBANIT

Varësisht nga ajo se për çfarë arsye pritet kurbani, kurbani është i shumëllojshëm:

1. Kurbani  UD-HIJE (i sakrificës);
2. Kurbani  HEDJ (i dhuratës në shenjë adhurimi);
3. Kurbani  NEDHËR (i përbetimit);
4. Kurbani  AKIKË (i mburojës);
5. Kurbani  i VASIJETIT ( i porosisë).

1. KURBANI UD-HIJE (I SAKRIFICËS)

Kurbani Ud-Hije (i sakrificës)  është dy llojesh:
1. Kurbani ud-hije vaxhib dhe
2. Kurbani ud-hije vullnetar-nafile.

1. KURBANI UD-HIJE VAXHIB është kurbani për të cilin është i obliguar i pasuri, i cili e ka arritur shumën e nisabit të zekatit gjatë ditëve të Bajramit (përpos nevojave elementare jetësore).
Po ashtu në këtë lloj të kurbanit bën pjesë edhe kurbani i të varfërit, të cilit i ka humbur kurbani pasi që e ka blerë, edhe pse për të parën herë nuk e ka pasur vaxhib, por ai vet e ka ngarkuar veten me obligueshmëri.
Nëse  kurbani pasi të prehet i gjendet kafsha e vogël në bark e gjallë, e shet atë të voglin e kafshës së therur, e jep shumën e asaj shitjeje sadaka, sepse nëna ka qenë e paraparë për kurban.

2. KURBANI NAFILE (vullnetar) është kurbani i udhëtarit (sipas sheriatit islam) dhe i të varfrit, i cili me vullnetin e tij ka vendosur të therë një kurban, dhe që nuk është përbetuar më herët se do ta presë (për kurbanin e përbetimit do të flasim më vonë).
Edhe pse ky lloj i kurbanit është nafile, që nga momenti i therjes kalon në dispozitën e vaxhibit.
Ebu Bekri dhe Omeri nuk kanë prerë kurban kur kanë qenë udhëtarë. Po ashtu edhe Aliju r.a. ka thënë:
“Udhëtari nuk prenë kurban dhe nuk e falë namazin e xhumasë”. Por edhe për shkak se udhëtimi në vetvete ka vështirësi – nuk është vaxhib kurbani.
I moshërrituri lejohet që nga pasuria e të voglit, i cili ende nuk e ka arritur moshën e pjekurisë, që për të të prehet kurban, këtë e bën kujdestari i tij. E vërteta është se ai nuk e ka vaxhib, por është mustehab, pra është e parapëlqyer kurbani për të voglin. Ndërsa babai nuk pret kurban për të voglin sikurse që e jep sadakatul fitrin edhe për të voglin.
Shart është nijeti. Prerja e kafshës mund të jetë për mish, por edhe për afrim tek Allahu. Për këtë arsye shart është nijeti, se Muhamedi a.s. ka thënë: “Nuk ka dyshim se veprat shpërblehen sipas qëllimit”. Nëse shtatë veta e presin një lopë kurban, atëherë që të gjithë pjesëmarrësit duhet ta kenë qëllimin për kurban, nëse njëri prej tyre nuk e ka nijetin për kurban, kurbani është i pavlefshëm për të gjithë, sepse afrimi (ibadeti) është në derdhjen e gjakut, e kjo nuk është arritur pasi njëri ka pasur qëllim tjetër.

2. KURBANI HEDJI (I DHURATËS)

Kurban hedj do të thotë kurban dhuratë. Ndërsa në sheriatin islam quhet kurbani të cilin e ther haxhiu gjatë kohës së haxhit. Ky lloj kurbani është posaçërisht për haxhilerët në kohën e haxhit. Ndryshe ky lloj kurbani quhet kurban i demit (i gjakut) dhe kurban i nusukit (adhurimit).

Zoti i Lartmadhëruar në Kur’an thotë:

وَأَتِمُّوا الْحَجَّ وَالْعُمْرَةَ لِلَّهِ فَإِنْ أُحْصِرْتُمْ فَمَا اسْتَيْسَرَ مِنَ الْهَدْيِ وَلا تَحْلِقُوا رُؤُوسَكُمْ حَتَّى يَبْلُغَ الْهَدْيُ مَحِلَّهُ فَمَنْ كَانَ مِنْكُمْ مَرِيضاً أَوْ بِهِ أَذىً مِنْ رَأْسِهِ فَفِدْيَةٌ مِنْ صِيَامٍ أَوْ صَدَقَةٍ أَوْ نُسُكٍ فَإِذَا أَمِنْتُمْ فَمَنْ تَمَتَّعَ بِالْعُمْرَةِ إِلَى الْحَجِّ فَمَا اسْتَيْسَرَ مِنَ الْهَدْيِ فَمَنْ لَمْ يَجِدْ فَصِيَامُ ثَلاثَةِ أَيَّامٍ فِي الْحَجِّ وَسَبْعَةٍ إِذَا رَجَعْتُمْ تِلْكَ عَشَرَةٌ كَامِلَةٌ ذَلِكَ لِمَنْ لَمْ يَكُنْ أَهْلُهُ حَاضِرِي الْمَسْجِدِ الْحَرَامِ وَاتَّقُوا اللَّهَ وَاعْلَمُوا أَنَّ اللَّهَ شَدِيدُ الْعِقَابِ

“E kryeni haxhin dhe umren për hir të All-llahut, po në qoftë se pengoheni, atëherë (therni për kurban) çka t’ju vijë më lehtë prej kurbaneve (dhuratë), e mos i rruani kokat tuaja derisa të arrijë kurbani (dhuratë) vendin e caktuar. Po cili prej jush është i sëmurë ose ka mundim koke (e rruhet para kohe) kompensimi është: agjërim, sadaka ose kurban (dhuratë). E kur jeni të sigurt, ai që bënë umren para haxhit (duhet therë) një kurban (dhuratë) që i vjen më lehtë, mirëpo nëse nuk ka, le të agjërojë tri ditë gjatë haxhit e shtatë ditë kur të ktheheni, këto janë dhjetë ditë të plota. Ky është rregull për ata që nuk e kanë familjen pranë xhamisë së shenjtë (Qabes). Pra kini dro All-llahun dhe dijeni se All-llahu është ndëshkues i rreptë”.
(El-Bekare, 196)

Omeri r.a. ka thënë: “Jepni dhuratë (kurban hedj), sepse Allahu e do dhuratën (kurbanin hedj)”.

Edhe ky lloj kurbani ndahet në dy lloje:
1. Kurbani hedj vaxhib dhe
2. Kurbani hedj nafile (vullnetar).

1. Kurbani hedj vaxhib është kurbani, të cilin e pret e haxhiu kur kryen haxhin Temetuë dhe Kiranë, pa kryer ndonjë vepër të ndaluar gjatë mbajtjes së ihramit. Ndërsa, kurbani hedj i demit (gjakut) është kurbani vaxhib për shkak të moskryerjes së ndonjë vaxhibit të haxhit, ose për shkak të kryerjes së ndonjë veprimi të ndaluar.
Siç po shihet, kurbani hedj vaxhib është për shumë arsye, e ato janë:
– për shkak të kryerjes së haxhit Temetuë ose Kiran,
– për shkak të moskryerjes së ndonjë vaxhibi dhe
– për shkak të veprimit të ndalesave të caktuara.

Kurbani hedj është tri llojesh: Deve, lopë dhe bagëti.

Kurbani hedj nafile (vullnetar) quhet kurbani, të cilën e ther njeriu (haxhiu) vetëm për t’iu afruar Allahut pa e pasur vaxhib. Ky lloj kurbani është i parapëlqyer (mustehab) për atë, i cili ka vendosur të shkojë në haxh (Ifrad) ose në umre jashtë muajit të haxhit, pra dëshiron të dhurojë prej vetes së tij ndonjë kurban. Kjo argumentohet me veprimin e të Dërguari të Allahut s.a.v.s., i cili ka dhuruar njëqind deve kurban.

Dr. Musli Vërbani

Print Friendly, PDF & Email
Vi ønsker at du skal være trygg når du bruker dette nettstedet. Vi benytter cookies for å sikre at du får en best mulig brukeropplevelse og for å hente inn statistikk slik at vi kan analysere hvordan nettstedet benyttes. Vi bruker også cookies for å kunne tilpasse innholdet til deg, og for å kunne målrette annonser til deg.  Trykk «Vis mer» for å lese mer om dette. Vis mer
Accept