VEL-JEVMIL-AHIRI – TË BESUARIT NË DITËN E GJYKIMIT
Dita e Gjykimit është ajo ditë, kur njerëzit do të përgjigjen përpara Allahut xh.sh., për veprat e veta të cilat i kanë bërë në këtë botë. Atë ditë, secili njeri do t’i ketë parasysh veprat e veta, të mirat dhe të këqijat, e do t’i gjykojë Gjykatësi më i drejtë – Allahu xh.sh.
Kështu që edhe ata, që në këtë botë u kanë ikur dënimeve për punët e veta të këqija, do të dalin përpara gjyqit të Allahut xh.sh dhe me të drejtë do të gjykohen. Kush punon vepra të mira do të shpërblehet me xhenet (parajsë), e kush punon vepra të këqija do të dënohet me xhehenem (ferr) – nëse Allahu xh.sh. nuk ia fal.
Prandaj, duhet të përpiqemi të bëjmë punë të mira dhe kështu ta meritojmë dhe të arrijmë kënaqësinë dhe shpërblimin e Allahut xh.sh.
Xheneti është vend në botën e ardhshme, ku besimtarët gjithmonë do të jetojnë. Xhehenemi gjithashtu është vend në botën e ardhshme, ku gabimtarët do ta vuajnë dënimin e vet sipas peshës së gabimeve të tyre – nëse atyre Allahu xh.sh. nuk ua fal.
Se kur do të jetë Dita e gjykimit, nuk e di askush përveç Allahut xh.sh.
TEVBJA – PENDIMI
Përkundër ruajtjes nga gjynahet (mëkatet), njeriu përsëri mund të gabojë. Në këtë rast, ai duhet t’i drejtohet Allahut xh.sh. sinqerisht i penduar, duke kërkuar falje. Këtë mund ta bëjë me këta fjalë: >>O Allah i lartësuar! Me të vërtetë unë pendohem për gabimet e mija, të cilat me apo pa vetëdije i kam bërë. Do të kujdesem që më të mos gaboj. Kurse Ty, o Allah, të lus që të më falish! Eshhedu en la ilahe il-lellah, ve eshhedu enne Muhammeden abduhu ve resuluhu!<<