Namazi i udhëtarit

Nga sa rekate duhet t’i falë mysafiri farzet? Mysafiri çdo namaz që i ka katër rekat, i falë vetëm nga dy rekat, si drekën, iqindinë dhe jacinë, ndërsa akshamin dhe sabahun i falë ashtu siç janë, pa i shkurtuar rekatet. Sunnetet dhe nafilet (namazet vullnetare) nuk shkurtohen, edhe pse jemi mysafir.

Kur konsiderohet udhëtari mysafir? Njeriu konsiderohet mysafir, kur vendos të marrë një rrugë të gjatë së paku tri ditë udhëtim si këmbësor, që është paraparë në këtë kohë afër 81km. Nuk ka ndryshim në vendimin e sheriatit nëse këtë rrugë e kalon me ndonjë mjet të shpejtë për një kohë të shkurtë. Namazi i mysafirit fillon të shkurtohet posa të largohet nga qyteti a lagjja e tij.

Kur konsiderohet mysafiri vendas (mukijm)? Njeriu konsiderohet si vendas, kur vendos të qëndrojë në vendin për nga ka udhëtuar së paku 15 ditë e më shumë. Nëse vendos të qëndrojë 14 ditë e më pakë, ai njeri ende konsiderohet si mysafir, dhe posa të kthehet në shtëpinë e vet, konsiderohet vendas.

Mysafiri a mund të del imam? Mysafiri mund të bëhet imam i mysafirëve dhe i vendasve, por duhet treguar vendasve se është mysafir dhe se e shkurton namazin që xhemati vendas ta vazhdojë namazin. Kjo vërtetohet me shembullin e Pejgamberit a.s. i cili i ka falur banorët e Mekës vitin e çlirimit të saj; pasi i fali dy rekat u drejtua nga mekasit, duke u thënë : “Vazhdoni (namazin) o mekas se unë jam udhëtar”.

VENDIME TË SHERIATIT RRETH MYSAFIRIT

1. Ata të cilët e vazhdojnë namazin pas imamit mysafir, nuk duhet të këndojnë në rekatin e tretë dhe të katërtin, por, të qëndrojnë në heshtje, sikur të jenë me imam.

2. Lejohet që mysafiri të falet pas imamit vendas (mukijm) me kusht që ta vazhdojë namazin katër rekat sikurse vendasi.

3. Kujt i kalon koha e namazit duke qenë mysafir, ai njeri namazin do ta bëjë kaza ashtu si i ka kaluar mysafir dy rekate nëse është namazi i drekës ose i jacisë.

4. Gjithashtu konsiderohet si mysafir, nëse shpërngulet nga vendlindja në një vend tjetër, dhe kur të kthehet në vendlindje një kohë të shkurt ai është mysafir.

Print Friendly, PDF & Email