Namazi i diellit dhe hënës

Dielli dhe Hëna janë dy argumente nga argumentet e shumta që paraqesin fuqinë dhe madhërinë e Krijeusit, All-llahut xh.sh.. Po të mos ekzistonte dielli dhe rrezet e tija që e ngrohin tokën, e ndriçojnë gjithësinë, nuk do të ekzistonin gjallesa në këtë botë të cilën jetojmë ne.

Me rastin e zënies së Diellit dhe Hënës jemi të urdhëruar, që t’i drejtohemi All-llahut xh.sh. me lutje dhe ibadet, që mos të na ndërpresë këtë dhunti të Tij.

Na tregon Ibën Mes’udi r.a. se në kohën e Pejgamerit a.s. u zu Dielli ditën në të cilën i vdiqë djali i tij Ibrahimi. Njerëzit filluan të thonin: u zu Dielli për shkak të vdekjes së Ibrahimit.

Kur e dëgjoi Pejgameri a.s. këtë, doli para popullit dhe tha: “Dielli dhe Hëna janë dy argumente (fakte) nga argumentet e shumta të All-llahut xh.sh., nuk zihen në rastin e vdekjes ose të lindjes së dikujt.

Kur të ndodhë ndonjë rast i tillë, falenderoni All-llahun me namaze dhe lutje derisa të ndriçojë përsëri”.

Sunneti-muekkede është që me rastin e zënies së Diellit dhe Hënës të falen dy rekate namaz me imam. Imami të jetë person i autorizuar, ose imam i xhamisë së atij vendi.

Imami e këndon elhamin dhe një sure pa ngritur zërin, gjatë namazit është e pëlqyer që të zgjatet rukuja, sexhdeja dhe të këndohet më shumë. Pas kryerjes së namazit t’i drejtohemi All-llahut me lutje dhe dua, deri sa të ndriçojë përsëri. Nëse imami nuk është i pranishëm, secili i falë dy rekat dhe bën lutje në shtëpinë e tij.

Kështu veprohet edhe me rastin e zënies së Hënës, pa imam, sepse namazi me rastin e zënies së Hënës nuk falet me imam dhe është Mustehab, jo sunneti-muekkede. Kështu veprohet edhe në rastin e territ dhe dukurive tjera të jashtëzakonshme.