Ç’është dita e Ashures dhe kur duhet agjëruar?
Fjala “ashura” vjen nga gjuha arabe dhe rrjedh nga rrënja “ashr” që në arabisht do të thotë dhjetë. Dita e Ashures është dita e dhjetë e muajit Muharem.
Sipas një transmetimi të Abdullah ibn Abasit kur pejgamberi Muhamed a.s. erdhi në Medine, vuri re që hebrenjtë mbanin agjërim ditën e ashures dhe pyeti shkakun.
Ata iu përgjigjën : “Kjo është një ditë e madhe. Atë ditë Allahu e shpëtoi Musain dhe popullin e tij nga dhuna e Faraonit. Si falënderim për këtë, profeti Musa agjëroi atë ditë. Edhe ne për respekt agjërojmë”.
I Dërguari Allahut (salallahu aleihi we selem) u shpreh : “Ne e nderojmë më shumë se ju profetin Musa (salallahu aleihi we selem)”. Duke mbajtur edhe vetë agjërim urdhëroi popullin e tij të agjërojë ditën e ashures. (Muslim, Sijam, 128).
Pasi u bë obligim agjërimi i Ramazanit, i Dërguari i Allahut Muhammedi (salallahu aleihi we selem) solli një liri për këtë temë duke thënë: “Pa dyshim që dita e ashures është një ditë nga ditët e Allahut. Kush të dojë agjëron dhe kush te dojë, jo.” (Buhari, Sami, 57 ; Muslim, Sijam 117).
Agjërimi në ditën e ashures është sunnet (vullnetar). Veçse pejgamberi ynë i nderuar (salallahu aleihi we selem), për të mos u ngjarë hebrenjve, na këshillon që së bashku me ditën e dhjetë të Muharremit, të agjërohet edhe dita e nëntë apo e njëmbëdhjetë, ose të agjërohen tri ditë të njëpasnjëshme.
09. Muharrem 1440 H – E Diel, 08.09.2019 (Imsaku 04:49 – Akshami 20:03)
10. Muharrem 1440 H (Dita e Ashuresë) – E Hënë, 09.09.2019 (Imsaku 04:51 – Akshami 20:00)
11. Muharrem 1440 H – E Martë, 10.09.2019 (Imsaku 04:52 – Akshami 19:57)
I Dërguari i Allahut (salallahu aleihi we selem) në një thënie të tij thotë : “Dallohuni nga tradita e hebrenjve, duke agjëruar një ditë përpara dhe ditën pasuese nga dita e ashures.”(Buhari, Saum69).
Ndërsa në vitin e fundit të jetës së tij ka thënë : “Nëse jetoj edhe vitin që vjen, do të agjëroj ditën e nëntë dhe të dhjetë të ashures.”(Muslimi ; Ebu Davudi).
Ndërsa Ebu Katade transmeton se sahabët e kanë pyetur Pejgamberin (salallahu aleihi we selem) për agjërimin e ditës së Ashures dhe ai u ka thënë : “Agjërimi ditës së Ashures i shlyen gjynahet e vitit të kaluar.” (Muslim, Sijam, 196).
Shkaku i agjërimit të ditës së ashures
Është falënderim për Zotin e Madhëruar që e shpëtoi Musain (alejhi selam) dhe popullin e tij nga faraoni dhe ithtarët e tij, e kjo ka ndodhur në ditën e dhjetë të muajit Muharrem.
Dobitë e agjërimit të kësaj dite
- Agjërimi i ditës së ashures është synet dhe i preferuar, me që është praktikuar, gjithashtu, nga Pejgamberi (paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të!).
- Këtë ditë e kanë agjëruar edhe shokët e Pejgamberit (paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të!) si dhe Musai (alejhi selam) para tyre, ne shenjë falënderimi, ndaj madhërisë së Zotit.
- Edhe historikisht kjo ditë ka vlerë madhështore.
- Preferohet agjërimi i një dite para ose pas saj; d.m.th.: (9-10 ose 10-11 muharrem) për t’u dalluar nga hebrenjtë, sepse këtë e ka urdhëruar Pejgamberi (paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të!).
- Kjo është çka u përmend në sunet, sa i përket kësaj dite, e çdo gjë tjetër që bëhet në të, është risi (bidat) dhe në kundërshtim me udhëzimin e Muhamedit (paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të!).
Kjo është prej mirësisë së Allahut të lartësuar ndaj nesh, sepse na e mundësoi që nëpërmjet agjërimit të një dite, të na falen mëkatet e një viti të plotë; e Allahu është pronar i mirësisë së madhe. Kështu që shpejto, dhe shfrytëzoje këtë mirësi! Filloje vitin tënd të ri me adhurim dhe punë të mbara, sepse punët e mira i shlyejnë ato të ligat (të këqijat).