Namazi është një ndër detyrat themelore dhe më të rëndësishme fetare. Me faljen e namazit respektojmë, nderojmë All-llahun xh.sh. dhe i falënderohemi Atij. Sepse njeriu prej vetë natyrës është ai që mvaret prej dikujt tjetër. Gjendja në namaz është një lidhshmëri në mes robit dhe krijuesit të tij, në mënyrë që robi drejtpërsëdrejti i drejtohet krijuesit pa kurrfarë ndërmjetësimi. Këtë respekt dhe nder e bëjmë gjatë faljes së namazit. Qëllimi i namazit është që shpirtërisht të afrohemi tek All-llahu xh.sh. Namazin e kanë falë edhe popujt tjerë para ummetit të Muhammedit a.s. në këtë gjendje kanë qenë në lidhshmëri shpirtërore të përhershme me krijuesin e vet.
VENDIMI(HUKMI) I SHERIATIT MBI NAMAZIN
Namazi është detyrë (obligim) i domosdoshëm për myslimanët të cilët kanë arritur moshën e pjekurisë (moshën madhore) dhe mentalishtë janë të shëndoshë (jo të çmendur). Namazi është obligim fetar dhe këtë mund ta vërtetojmë me shumë ajete kur’anore dhe shumë hadithe të Pejgamberit a.s., si dhe çfarë rëndësie i ka dhënë Pejgamberi a.s. namazit. Me një hadith u drejtohet prindërve myslimanë duke thënë: “Urdhëroni (mësoni) fëmijët tuaj të falin namaz kur ata i kanë shtatë vjet, filloni me rrahje (të lehtë) t`i shtini në namaz kur ata i mbushin dhjetë vjet”. Në vazhdim t’i cekim disa ajete kur’anore rreth faljes së namazit. Në suren El-bekare, (ajeti/3) All-llahu xh.sh. thotë: Duke i lavdëruar myslimanët “Të cilët e besojnë të fshehtën, e kryejnë faljen (namazin)”. Me një ajet tjetër na tregon se si duhet kryer namazin dhe si të veprohet gjatë kryerjes së namazit, ku thotë: “Kur të kryeni namazin përmende All-llahun, kur jeni në këmbë, ulur, të mbështetur. E kur të qetësoheni (nga lufta), atëherë fale namazin në mënyrë të rregullt, pse namazi është obligim i caktuar për myslimanët” (ajeti/103). Ndërsa në suren El-maunë na tregon se si duhet sinqerisht të kryhet falja e namazit. All-llahu xh.sh. thotë: “Pra shkatërrim është për ata që falen, të cilët ndaj namazit të tyre janë të pakujdesshëm” (ajeti/4.5). Këto ishin disa nga ajetet e shumta që flasin për namazin, dhe rëndësinë e tij. Duhet ditur se para së gjithash Ditën e kiametit (gjykimit) myslimani do të pyetët për namazin, këtë e vërteton fjala e Pejgamberit a.s.” Më parë robi do të gjykohet Ditën e kiametit për namazin, në qoftë se e ka kryer namazin ashtu si duhet i ka kryer edhe detyrat tjera, e në qoftë se nuk e ka kryer namazin, nuk i ka kryer edhe detyrat tjera”.
Çka do të bëhet me atë që nuk e fal namazin:
Nuk ka dyshim se ai i cili nuk e fal namazin, dhe e mohon faljen e namazit ai është jobesimtarë (qafir). Këtë e themi duke u bazuar në fjalën e Pejgamberit a.s.: “Dallimi mes burrit dhe qufrit është lënia e namazit”. Po ashtu mund të bazohemi në hadithin tjetër, ku Pejgamberi a.s. ka bërë dallimin në mes myslimanëve dhe hipokritëve (mynafikëve) ku thotë: “Premtimi (besa) mes nesh dhe mes tyre është namazi, kush nuk e fal, ka bërë qufër”.
Dënimi i atij që nuk e fal namazin:
Ai mysliman që e mohon faljen e namazit konsiderohet jobesimtarë, dhe dënimi i tij është vrasja, pasi që t’i jepet një afat prej tri ditësh ndoshta ai kthen dhe pendohet. Ai i cili nuk e fal namazin prej mërzie, dhe e shtyn dita ditës dhe duke qenë në bindje të plotë se e ka këtë obligim, ky njeri dënohet. Dënimi i tij në këtë botë është të burgoset dhe në çdo kohë të namazit të rihet derisa t`i rrjedhë gjak, kjo rrahje vazhdon derisa të fillojë të falet.
Dobitë që sjell namazi:
Të gjitha ibadetet që i kryen myslimani, sjellin dobi të veçanta, si namazi, agjërimi, etj. Falja e namazit është një metodë me të cilën i drejtohemi Krijuesit tanë me adhurim, gjatë faljes së namazit myslimani e falënderon All-llahun për nimetet (të mirat) që ia ka dhuruar, me këtë shtohet afrimi tek madhëria e Tij, dhe e vërteton ajetin kur’anor në të cilin All-llahu thotë: “Nuk i kam krijuar xhinët e njerëzit, përpos të më adhurojnë”. Namazi e ndalon njeriun nga çdo vepër e ligë, e gjithnjë e udhëzon në rrugë të mbarë dhe të hajrit. Në vazhdim të cekim hadithin e Pejgamberit a.s. i cili e sqaron se si falja e namazit i shlyen mëkatet “A jeni duke parë kur një lum kalon para derës suaj, e në atë lumë laheni pesë herë në ditë. A do të mbetet, vallë, diçka e papastër në trupin tuaj? Ata iu përgjigjën jo! Të tilla janë pesë kohët e namazeve. All-llahu xh.sh. i shlyen me to mëkatet e njerëzve”. Falja e namazit i bashkon myslimanët. Sa bukur është kur i madhi dhe i vogli, i varfëri dhe i pasuri, të gjithë rreshtohen në namaz të njëjtë pa kurrfarë dallimi në mes tyre, të përbashkët e kryejnë urdhrin e All-llahut xh.sh. Por ky bashkim vëllazëror kur bëhet pesë herë në ditë, me siguri këta njerëz do të jenë si një trup i përbashkët duke vërtetuar fjalën e krijuesit të tyre “me të vërtetë myslimanët janë vëllezër” .
Kohët e namazeve:
Sipas numrit të namazeve, dita dhe nata janë ndarë në pesë pjesë të kohës, secili namaz falet në kohën e caktuar, që e ka caktuar Sheriati Islam.
-
Koha e namazit të sabahut: fillon me të aguarit e mëngjesit, vazhdon deri para lindjes së diellit.
-
Koha e namazit të drekës: fillon prej kohës kur dielli e kalon zenitin e qiellit, dhe zgjat deri sa hija e çdo sendi (objekti) të rritet sa për një herë aq sa është gjatësia e sendit në pozitën vertikale.
-
Koha e namazit të ikindisë: fillon prej kur hija e një objekti, rritet për një deri në dy gjatësi të atij objekti, dhe vazhdon deri sa të perëndojë dielli.
-
Koha e namazit të akshamit: fillon me perëndimin e diellit dhe zgjatë deri sa të humbet ngjyra e kuqe e diellit që vërehet në mbrëmje në horizont.
-
Koha e namazit të jacisë: fillon prej kur humbet ngjyra e kuqe e diellit dhe zgjatë deri në agim të mëngjesit.
Kohët në të cilat nuk është e pëlqyer të falemi (mekruh):
-
Gjatë lindjes së diellit deri të ngrihet një apo dy shtiza të shigjetës (osten) afërsisht 30min.
-
Kur dielli gjendet në zenit (kupë) të qiellit, pritet deri sa ta kaloi zenitin. Gjatë perëndimit të diellit e deri të fshihet, përveç ikindisë të asaj kohe.
EZANI DHE IKAMETI
Fillimin e kohëve të namazit e lajmërojnë myezinët duke thirrur ezanin. Fjala “ezan” në gjuhën arabe d.m.th. shpallje, lajmërim. Ezani thirret kur të hyjë koha e namazit, lajmëron për namaz, ndërsa ikamet d.m.th. hyrje në namaz. Ikameti tregon fillimin e namazit farz.
Për të qenë ezani në rregull duhet të plotësohen këto kushte:
- Hyrja e kohës së namazit për të cilin e thirr ezanin.
- Ezani të thirrët në gjuhën arabe.
- Myezini të jetë i moshës madhore në bylyk, dhe të mos jetë i çmendur.
Është e pëlqyer (sunnet) që:
- Myezini të jetë mashkull, mekruh është që ta thirr femra.
- Të qëndruarit në këmbë gjatë thirrjes së ezanit.
- Të hipë në vend të lartë që të mundin ta dëgjojnë të tjerët.
- Të drejtohet nga Kibla gjatë thirrjes.
- Të rrotullojë kokën në anën e djathtë te haj-ales-ala dhe në të majtë te haj-alel-felah.
- Të thirrët ezani ngadalë, e me ndërprerje.
- Të jetë myezini i pastër (jo xhunub).
- Të mos flitet gjatë thirrjes së ezanit.
- T`i shqiptoi shkronjat ashtu siç duhet.
Ndërmjet ezanit dhe ikametit duhet të kalojë një kohë sa të mblidhen xhemati. Në qoftë se nuk plotësohen këto kushte që i përmendëm, ezani nuk është i plotësuar (mekruh). Pas thirrjes së ezanit myezini bashkë me dëgjuesit lexojnë këtë lutje : Allahume-rabe-hadhihi-davet-ti tame, ves-salatil-kaime, ati Muham-meden-nilvesijle vel fadijle, vebath-hu mekamen mahmudeni-ledhij vead-tehu, inneke la tuhliful-miad.
FARZET E NAMAZIT
Para se të hyhet në namaz duhet bërë përgatitje për t’u falë, duhet plotësuar disa kushte kryesore për të hyrë në namaz.
Ata janë dymbëdhjetë: gjashtë janë përgatitje për namaz, ndërsa gjashtë të tjerat pjesë përbërëse të namazit.
Kushtet (Farzet) përgatitëse për namaz janë:
- Trupi, petku dhe vendi ku do të falemi të jenë të pastër.
- Të marrësh abdes, ose të pastrojsh tërë trupin nëse ka nevojë, në mungesë të ujit marrim tejemmum.
- Të jesh i veshur, të mbulohet trupi, për meshkujt prej kërthize e deri nën gjunjë, ndërsa femrat mbulojnë tërë trupin në përjashtim të fytyrës, duarve dhe këmbëve.
- Të falesh në kohën e duhur.
- Të drejtohesh nga Kibla.
- Të bëhet nijeti (vendosja për namaz).
Kushtet (Ruknet) përbërëse të namazit janë:
- Tekbiri fillestar.
- Leximi i Kur’anit, një sure ose tre ajete të shkurtra ose një të gjatë. Qëndrimi në këmbë gjatë leximit të Kur’anit.
- Përkulja në ruku.
- Përkulja në tokë bashkë me ballin, hundën, duart, gjunjë dhe këmbët. Ulja e fundit në mbarim të namazit.
Këto ishin pjesët përbërëse të namazit. Namazi përpos farzeve ka edhe vaxhibe edhe sunnete, nëse njëri nga këto kushte që i përmendëm mungon, duhet përsëritur namazin.
VAXHIBET E NAMAZIT
Vaxhibet e namazit janë veprat që kryen gjatë faljes së namazit që nuk janë farze por janë afër farzeve. Në Sheriatin Islam quhen (vaxhibe).
Ata janë:
- Tekbiri fillestar të merret me fjalën All-llahu ekber.
- Leximi i Elhamit bashkë me një sure, ose tre ajete të shkurt ose një të gjatë.
- Të jesh i qetë (i ngadalshëm) gjatë faljes së namazit, gjatë lëvizjeve në ruku , sexhde, gjatë ngritjes nga sexhdet..etj.
- Në sexhde, përveç ballit në tokë, të lëshohet edhe hunda.
- Në uljen e parë në të gjitha namazet të qëndrohet derisa të lexohet ettehijati.
- Leximi i ettehijatit: Et-tehijatu lil-lahi ves-salavatu vetejibatu, es-selamu alejke ejuhen-nebiju ve rahmetull-llahi ve berekatuhu, Es-selamu alejna ve ala ibadil-lahis-salihin, Esh-hedu en la ilahe il-lall-llah, ve esh-hedu enne Muham-meden abduhu ve rusuluhu.
- Posa të lexohet ettehijati në uljen e parë menjëherë çohet në këmbë. Dhënia e selamit në fund të namazit, (Es-salamu alejkum).
- Të këndojë imami me zë në namazet e sabahut, në dy rekatet e para të akshamit, në dy rekatet e parë të jacisë, në namazin e xhumasë, në dy bajramet, në teravitë dhe në namazin e vitrit në muajin e Ramazanit. Kështu veprohet kur falemi mbas imamit, në qoftë se falemi vetë mund të zgjedhim, të këndojë me zë ose pa zë.
- Të këndohet pa zë në namazet që vijojnë: në namazin e drekës, të iqindisë, në rekatin e tretë të akshamit dhe në dy rekatete e mbrëmë të farzit të jacisë.
SUNNETET DHE ADABET E NAMAZIT
Çdo vepër që e ka punuar Pejgamberi a.s. në namaz, vazhdimisht pa ndërprerje jashtë disa rasteve të rralla, është sunnet të punohet, e çdo vepër që e ka punuar Pejgamberi a.s. jo vazhdimisht quhen adabe. Sheriati Islam i ka bërë vaxhibet plotësim të farzeve, e i ka bërë sunnetet plotësim të vaxhibeve, dhe i ka bërë adabet plotësim të sunneteve. Këto të gjitha janë në lidhshmëri ndërmjet veti.
SUNNETET E NAMAZIT
- Në fillim të namazit, gjatë marrjes të tekbirit fillestar, meshkujt i çojnë duart deri te veshët, kurse femrat deri te supet e krahëve.
- Meshkujt i lidhin duart nën kërthizë, kurse femrat mbi kraharor (gjoks); dora e djathtë të vihet mbi dorën e majtë.
- Të këndohet Subhaneja (Subhaneke All-llahume vebi hamdike vetebareke ismuke ve teala xhed-duke ve lailahe gajruke) pas tekbirit fillestar në reqatin e parë.
- Të këndohet eudhu-bilahi, bismilahi pas subehanes në reqatin e parë, ndërsa bismilahi të këndohet para Elhamit në çdo rekat, pa zë.
- Të thuhet amin pas Elhamit, kur falemi vetë apo me imam.
- Të ndahen lëvizjet e namazit me tekbir (All-llahu ekber) si në sexhde, ruqu..
- Të thuhet semiall-llahu limen hamide (Rabena lekel-lhamd), gjatë ngritjes nga rukuja, ndërsa kur të jemi pas imamit mjafton të thuhet Rabena lekel-hamd.
- Në ruku të rroken gjunjët me duar, dhe shpina të drejtohet në pozitë horizontale dhe të thuhet subehane rabbijel adhijm 3 herë.
- Duke shkuar në sexhde gjunjët të lëshohen më parë pastaj duart dhe fytyra, ndërsa të veprojmë në të kundërtën kur të ngrihemi, më parë fytyrën, duart e pastaj gjunjtë.
- Gjatë qëndrimit në sexhde meshkujt e ndajnë barkun nga kofsha, bërrylat prej anëve dhe llërën e dorës prej toke, ndërkaq femrat veprojnë në të kundërt, e mbledhin barkun, duart i mbyllin.
- Gjatë qëndrimit në sexhde thuhet subhane rabijel eala 3 herë.
- Duart lëshohen në prehër mbi gjunjët në ulje të namazit.
- Meshkujt ulen mbi këmbën e majtë të lakuar, kurse këmbën e djathtë e shtrijnë për toke duke e kthyer gishtin e madh nga Kibla, ndërkaq femrat ulen në anën e majtë ndërsa këmbët i kthejnë në anën e djathtë.
- Duke e kënduar shehadetin, kur të arrihet te fjalët Esh-hedu enlail-lahe të ngrihet gishti tregues i dorës së djathtë, e të lëshohet kur të themi il-lallah.
- Të këndohet elhami vetë në rekatin e tretë dhe të katërt të namazeve farze.
- Të këndohen salavatet pas ettehijatit (Allahume sali ala Muhammedin ve ala ali Muhamed kema sal-lejte ala Ibrahijme ve ala ali Ibrahijme inneke hamijdun mexhijd. All-llahumme barik ala Muhammedin Ve ala ali Muhamed kema barekte ala Ibrahijme ve ala ali Ibrahijme inneke hamijdun mexhijd).
- Pas salavateve të këndohen disa lutje me përmbajtje kuranore (Allahume Rabena atina fi dunja haseneten ve fil ahireti haseneten ve kina adhaben-nar. Allahume Rabenag-gfirlij ve livali deje ve lil-mùminijne jevme jekumil hisabë).
- Duke dhënë selam kryet e kthejmë së pari në të djathtë duke thënë es-selamu alejkum ve rahmetull-llah, mandej në të majtë.
ADABET E NAMAZIT
- Gjatë namazit meshkujt dhe femrat të shikojnë vendin e sexhdes duke qenë në këmbë, në ruqu tì shikojnë këmbët, kurse në sexhde t’a shikojnë pjesën e mbrëmë të hundës dhe në fund kur të jepet selam t’i shikojnë supet e krahëve.
- Sipas mundësive të përmbahemi nga të kolluri.
- Të mos hapim gojën gjatë namazit.
- Gjatë ikametit kur myezini thotë Haj-alel-fela, të ngrihemi në këmbë.
- Të kemi frikën e Zotit gjatë namazit, të qëndrojmë të kujdesshëm, sikurse trupin ashtu edhe zemrën, mendjen t’a kemi në namaz.
All-llahu xh.sh. duke i lavdëruar besimtarë në suren El-mu’minunë (ajeti /1,2) thotë: “Është e sigurt se kanë shpëtuar besimtarët: ata të cilët janë të përulur dhe të kujdesshëm gjatë faljes së namazit”.
RRETHANAT TË CILAT E PRISHIN NAMAZIN
Më lartë i përmendëm kushtet që duhet plotësuar gjatë faljes së namazit. Këto vepra janë marrë prej veprave të Pejgamberit a.s. i cili është falë në këtë mënyrë dhe ka urdhëruar që edhe ne të falemi sikur ai, kjo argumentohet me fjalën e tij “Faluni sikurse më keni parë mua duke u falur”. Për këtë arsye namazi duhet të plotësohet me farze dhe sunnete. Në qoftë se mungojnë ndonjëra nga farzet e namazit, duhet përsëritur atë namaz.
KUR PRISHET NAMAZI
- Namazi prishet në mungesë të ndonjë farzi (rukni).
- Të folurit në namaz, edhe po të ndodhë me harresë.
- Lëvizja e duarve më shumë se tre lëvizje të ndërprera (p.sh. të kruarit), në një rekat.
- Në qoftë se përnjëherë kalon tri hapa për të dalë në safin (rreshtin) tjetër për ta plotësuar.
- Të këndoi atë që e di prej Kur-anit përmendësh (e jo me lexim).
- Të qeshurit me zë në namaz (siç thamë më lartë e prish edhe abdesin).
- Të kollituri pa nevojë dhe të bërit ku ku..
- Të gabuarit gjatë këndimit të Kur’anit, (në qoftë se e ndërron kuptimin e ajetit).
- Të ngrënit edhe në qoftë se është sa një tharm buke.
- Në qoftë se falemi me tejemmum e në ato çaste gjendet uji.
- Mbarimi i kohës së mes’hit mbi meste.
- Dalja e diellit gjatë faljes së namazit të sabahut.
- Të kthyerit gjoksin jashtë Kibles.
- Të humburit e vetëdijes.
- Bashkimi i gruas me burrin në vend të ngushtë, pa marrë parasysh se a e ka të afërme apo jo në qoftë se namazi që falet është i njëjtë (p.sh. të dy e falin drekën).
MEKRUHET E NAMAZIT
- Të lërit e ndonjë vaxhibit në namaz.
- Në qoftë se me dashje e lëmë ndonjë sunnet.
- Zgjatja e këndimit të Kur’anit në rekatin e dytë, më shumë se tre ajete nga i pari.
- Përsëritja e të njëjtës sure në dy rekate.
- Të mos kënduarit me radhë, (p.sh. e këndon Kulhuvall-llahun pastaj Tebet jedanë).
- Të lozuri me rrobat ose me trup, sepse kjo e largon frikën. Tregohet nga Pejgamberi a.s. i cili e paska parë njërin nga besimtarët duke e përkëdhelë mjekrën e tij në namaz, dhe tha: “Nëse i ka frikë zemra e tij, do të kishin frikë edhe pjesët e tjera të trupit”.
- Të larguarit e gishtave të këmbës dhe të duarve nga Kibla.
- Të shikuarit për rreth, e të rrotulluarit e kresë.
- Të mos të mundojë gjatë faljes nevoja e vogël ose e madhe.
- Të shikuarit nga qielli, këtë rreptësisht e ka ndaluar Pejgamberi a.s. duke thënë ” Çka është me disa njerëz, i ngritin sytë e tyre nga qielli në namaz, le të largohen nga ajo ose do t’iu grabiten (do t’u merren sytë)”. Është mekruh të falemi në këto vende: a) Në rrugët kryesore, b) Në hamame, c) Mbi varreza, d) Në tokën e huaj pa dijen e tij, e) Afër zjarrit të ndezur, f) Afër kopesë së kafshëve (ahër), g) Para fotografive etj.
- Të falurit me rroba jo të pëlqyera. Tregohet se Omeri r.a. e paska parë një mysliman duke u falë me rroba jo të pëlqyera dhe i paska thënë : Nëse të dërgoj te disa njerëz (më me famë) a do të dalësh para tyre me këto rroba? U përgjigj: jo. Omeri i tha: All-llahu më shumë e meriton që të zbukurohesh para Tij.
- Të falurit pa kapuç (kësulë).
- Të falurit me imam (anash) pa mos e plotësuar safinë.
- Të falurit duke qenë i ngarkuar me mendime tjera, (p.sh. nëse jemi të unët, duhet më parë të hamë).
- Kur të falemi në vend të hapët duhet të vendojmë një shenjë para vetes, të kuptohet se jemi në namaz.
FJALA PËRFUNDIMTARE MBI NAMAZIN
Namazi është mënyra më e përsosur e nderimit dhe respektimit që i bëhet All-llahut xh.sh. Ngritja e duarve, qëndrimi në këmbë, përkulja, rënia në sexhde dhe të qëndruarit ulur janë lëvizje trupore, me të cilat shfaqet respektimi ndaj All-llahut xh.sh., duke i shprehur madhëri e nderim, respekt e lavdërim, adhurim dhe lutje.
Kjo është mënyra më e përshtatshme e edukimit shpirtëror dhe rruga më e mirë e afrimit te All-llahu i Madhëruar. Adhurimin (ibadetin) në këtë mënyrë e kanë praktikuar të gjithë pejgamberet e All-llahut xh.sh. prej Ademit e deri te Muhamedi a.s. me disa ndryshime të vogla në mënyrën e adhurimit.
Qëllimi i namazit është përkujtim dhe afrim ndaj All-llahut xh.sh. në mënyrë që shpirtërisht të ndjejmë kënaqësinë e krijuesit. Namazi, si obligim i domosdoshëm, është shumë i dobishëm si për pastrim ashtu edhe për shëndet, për individ dhe për tërë bashkësinë.