Jeta e kësaj bote është shumë e shkurtë krahas Ahiretit. Në këtë botë njeriu e ndërton jetën e ardhëshme (Ahiretin), kjo është jeta kalimtare ndërsa Ahireti është jeta e amshuar. Kush bën vepra të mira apo të këqija ka për t’i parë edhe nëse janë më të vogla, të gjitha janë shënuar qartë. All-llahu xh.sh. njeriun e dalloi nga gjithë gjallesat e tjera, po edhe në momentet kur ai largohet nga kjo jetë, e ka bërë që të largohet me respekt dhe nder. Falja e namazit të të vdekurit është farzi-kifaje, nëse e falin disa njerëz bie për të tjerët, nëse asnjëri nga muslimanët në atë vend që jetojnë nuk ia falë, të gjithë janë mëkatarë.
Kushtet (shartet) e faljes së xhenazes:
- Të plotësohen të gjitha kushtet e namazeve tjera, p.sh. pastërtia, drejtimi nga Kibla.
- Të jetë i vdekuri musliman, nuk falet jo muslimani.
- Të jetë vendi, trupi i të vdekurit dhe qefini të pastër.
- Imami të qendrojë para xhematit.
- Të jetë i shtrirë për dhe. Gjatë faljes nuk lejohet të jetë në duart e njerëzve.
- Të jetë i pranishëm, para xhematit, ose pjesa më e madhe e trupit të tij.
Ruknet e namazit të xhenazes janë:
- Namazi të përbëhet prej katër tekbireve.
- Të ndejturit në këmbë gjatë faljes së namazit.
Vaxhib në namazin e xhenazës është selami pas tekbireve.
SUNNETET E NAMAZIT TË XHENAZES
- Gjatë faljes së namazit të xhenazes, imami të qëndrojë drejt krahërorit të të vdekurit.
- Pas tekbirit fillestar të këndohet subhaneja.
- Pas tekbirit të dytë të këndohen salavatet.
- Pas tekbirit të tretë të këndohen lutje për të vdekurin, teksti i kësaj lutje është: All-llahumme-gfir lihej-jina ve mej-jitina, ve shahidina, ve gaibina, ve sagirina ve kebirina, ve dhekerina ve unthana. All-llahumme men ehjejtehu fe-ehjihi alel-Islam, ve men tevefejtehu min-na fetev-vefehu alel-ijman. All-llahumme la tahrimna exhrehu ve la tefti ba’dehu. (O Zot fali të gjallët dhe të vdekurit, të pranishmit dhe ata në mungesë, të rriturit dhe të vegjëlit, meshkuj dhe femra. O Zot atij të cilit ndër ne i dhurove jetën, bëre të jetojë në Fenë Islame, ndërsa atij që ia merr jetën, merrja duke qenë në Iman. O Zot mos na ndalo të mirat e tij, e mos na le të shkatërohemi pas tij).
- Nëse i vdekuri është fëmijë duhet bërë këtë lutje: All-llahumme-xhalhu feretan ve zuhrre, ve-xhalhu shafian ve mushfian. (O Zot bëre për ne konakxhi dhe mbroje pranë teje, dhe bëre falës i mëkateve tona). Pas mbarimit të lutjeve jepet selam.
Kini kujdes: gjatë tekbirëve nuk ngriten duart lartë, përpos tekbirit fillestar.
BARTJA E XHENAZES
Është e lavdëruar që xhenazja të bartet në duart e xhematit, në mënyrë që çdo person ta mbajë disa hapa, ashtu të reshtuar të kujdesshëm duke iu shmangur fjalëve të kota, dhe me respekt të ecet prapa saj. Gjatë ecjes është mustehab që të nxitohet dhe në kohën sa më të shkurtër të varroset. Pas xhenazes ecin vetëm meshkujt.